Between loneliness and poverty

Zërat e padëgjuar të pensionistëve në Shqipëri

Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë. Në fshatra dhe qytete gjen të moshuar që ngrysin ditët e pleqërisë në vetmi duke u përpjekur të shtyjnë ditët. 
Faktoje ju zjell zërat e padëgjuar të pensionistëve dhe luftën e tyre të përditshme me jetën. Në rubrikën më të re “Përmes Fotografive“ gazetarja Esmeralda Topi dhe fotografi Atdhe Mulla kane takuar disa të moshuar që rrëfejnë luftën me vetminë, sëmundjet por edhe çmimet e kripura.
Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla

‘Pensioni më shkon për ilaçe’

Ditën që i bujtëm në apartamentin e saj pranë Mozaikut të Tiranës, Sanije Gashi kishte marrë pensionin. Ashtu si 767 mijë pensionistët e tjerë në të gjithë vendin, ishte kurioze të shihte se sa para do të merrte nga indeksimi 8.6% që qeveria i bëri pensioneve këtë tetor. 

‘Kam punuar 35 vite në shtypshkronjë dhe marr 190 mijë lekë (të vjetra) në muaj' - tha 77 vjeçarja duke theksuar se ‘nga këto 150 mijë i duheshin për ilaçe.’

Sanija ka kaluar ishemi celebrale që i ka lënë pasoja të rënda në shëndet, por është e detyruar të mbahet në këmbë duke i shërbyer vetes dhe të shoqit të sëmurë. 
‘Kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Janë të martuar. Vajzën e kam larg, vjen njëherë në tre katër ditë se aq ka mundësi. Ndërsa djali nuk na flet prej 20 vitesh.’- rrëfen gjithë trishtim Sanija duke përsëritur si refren këtë fjali: 

‘Nuk fajësoj as djalin as nusen. Të tjerë njerëz ma kanë fajin…’

Në mungesë të fëmijëve, ajo i shërben Sadriut për të cilin thotë se ka 12 vite që vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kanë bashkë gjysmë shekulli martesë ndaj Sanija është e bindur se i shoqi e ka ‘hallall’ përkujdesjen e saj. 
‘Ngrihem shumë shpesh natën që i shërbej tim shoqi dhe nga problemet që kam jam rrëzuar më shumë se 19 herë. Falë zotit nuk kam thyer ndonjë kockë.’
Mirëpo, shenjat e rrëzimit të fundit i ka ende të dukshme në trup.
‘Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kam bërë katër herë ndërhyrje në zemër.’, vazhdon Sanija, dhe na tregon një për një të gjitha ilaçet që i duhen për vete dhe të shoqin. 
‘Vetëm kjo kutia që i ble Sadriut për të ushqyer trurin bën 25 mijë lekë.’, veçoi ajo nga komodina e mbushur me ilaçe sikur të ishte një mini farmaci. 
E vetmja mbështetje financiare që çifti i të moshuarve ka janë pensionet. Të dy bashkë marrin 49,000 lekë çdo muaj. Por pasi shlyejnë detyrimet mujore ndaj shtetit dhe blenë ilaçet që ju nevojiten, çiftit Gashi ju mbeten shumë pak lekë për të kaluar muajin. 
‘Pa u rritur çmimet dhe nuk e përballoja dot muajin, tani jo e jooo. Shkoj e marrim ushqimin çdo muaj tek mensa sociale. S’kam as takat, as lekë.’
Sanija dhe Sadriu janë vetëm dy nga 90 mijë të moshuarit e vetmuar në Shqipëri.

‘Prisja të merrja pensionin pastaj do ikja…’

Në fshatin Shënepremte të Divjakës jeton e vetme Kaleme Dardha. Duke u gdhirë 6 tetori, 82 vjeçarja u dhunua barbarisht nga dy të rinj të fshatit që i grabitën shtëpinë. 
‘Shteti dhe qeveria t’i dënojë, e të verë dorë’, lutet ajo më lot në sy, teksa shënjat e dhunës i ‘ulërasin’ syve tanë…
Si çdo vit, edhe këtë vjeshtë-dimër nënë Kaleme do të shkonte në Itali tek të bijat, por lajmi i ‘rritjes së pensioneve’ e mbajti në fshat një muaj më shumë.

‘Prisja të merrja pensionin pastaj do ikja… isha kurioze se sa më ishte rritur se dëgjuam në lajme. Ata masakrenjtë, siç duket kanë menduar se unë nuk isha në shtëpi dhe kur I kapa gafil më dhunuan, e ça s’më panë sytë…’, rrëfen e tmerruar ajo.

82 vjeçarja ka dalë në pension të parakohshëm dhe merr 18,000 lekë në muaj por ndryshe nga shumë të moshuar të tjerë, ajo gjen mbështetje financiare nga të dy vajzat. 
‘Nuk më mungon asgjë, s’më lënë gjë mangët. Por atje (Itali) nuk më rrihet, dua shtëpinë time në fshat. Këtu gjej rehat…po tani si do t’ia bëj?!’ ngre supet duke sjellë nëpërmend ndodhinë e tmerrshme të dhunimit dhe grabitjes nga dy të rinjtë e fshatit. 
I gjithë fshati është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, por ndjesitë më të forta I gjetëm veçanërisht tek të moshuarit e tjerë të vetmuar të fshatit.  
‘S’ishte parë e dëgjuar kjo që të dhunohej një plakë kështu… Merr çke për të marrë dhe lërë plakën e gjorë. Na ka zënë frika të gjithëve…’, thotë një familjare e nënë Kalemes që gjetëm në shtëpi. 

‘Punoj tokën se s’më del hesapi’

Edhe në fshatin Shënepremte, si në çdo zonë tjetër rurale të Shqipërisë jetojnë më shumë të moshuar, sepse të rinjtë kanë emigruar. Skënder Çokun e gjetëm duke punuar tokën pranë një vile me tre kate. 
‘Kjo është shtëpia e vajzës që kujdesem që kur kanë ikur në Gjermani.’, na tregon 71 vjeçari. 
Skënderi ka punuar kuzhinier, ka vetëm 6 vite që ka dalë në pension dhe merr 15,700 lekë në muaj. 

‘60 mijë lekë në muaj unë i dua ilaçe se vuaj nga tensioni dhe diabeti. Ndaj punoj tokën këtu, mbjell për veten time se s’më del hesapi’, vijon më tej ai.

Parcelën e tokës e ka mbjellë me perime dhe fruta të ndryshme ndaj shumicën e kohës e kalon aty duke u kujdesur që të marr frytet e të mbjellave.
‘Gjithsesi, mos të kishim fëmijët do kishim vdekur’, thotë ai me një buzëqeshje të embël në fytyrë, si për të na vërtetuar se edhe puna me tokën nuk i mjafton për të jetuar siç duhet. 

‘Kujdesem për nipin’

Jo të gjithë pensionistët kanë dalë ‘zyrtarisht’ në pension. Ndryshe nga Skëndëri që në pension kujdeset për një shtëpi bosh, të tjerëve ju buçasin shtëpitë nga zërat e fëmijëve.
Bujar dhe Shpresa Luga janë dy pensionistë nga Tirana. Ata kanë më shumë se një dekadë që kanë dalë në pension.
‘Tani kemi një punë tjetër part time, mbajme nipërit.’, tregon Bujari duke shtyrë në lisharëse nipin e tij 2 vjeç.
‘Vajzat na kanë gëzuar me katër nipër të mrekullueshëm. Ne i ndihmojmë deri sa vijnë nga puna, duke u kujdesur për ta.’, thotë Shpresa teksa na tregon në telefon një fotografi të shkrepur së fundi më të katër djemtë e vegjël.

‘A nuk janë të mrekullueshëm?! Këta na shtojnë jetën. Bashkë me gjyshërit e tjerë i mbajmë në shtëpi deri sa arrijnë moshën e kopshtit, pastaj shkojnë atje me fëmijët’, tregon Shpresa dhe kthehet nga i shoqi duke shtuar: ‘më ndihmon edhe Bujari, kujdesemi të dy’.

Bujari është 75 vjeç, ka punuar gjithë jetën shofer dhe vitet e punës i janë shpërblyer me 23,000 lekë pension. 
‘Kam punuar shofer që në kohën e komunizmit për një ministër shumë të rëndësishëm të kohës’ na tregon ai duke shtuar me shpoti ‘po pastaj kalova tek sporti deri sa dola në pension se ministri doli armik.’ 
Edhe Bujarin me Shpresën i ndihmojnë financiarisht të bijat, por ndryshe nga pensionistët e tjerë ata janë të lumtur që ndihmën ua shpërblejnë duke u kujdesur për fëmijët e tyre. 

‘Nuk duhet të ketë pension nën 22 mijë lekë’

Faik Xhani është ish mësues nga Mati që prej vitesh drejton Shoqatën e “Pensionistëve të Shqipërisë”. 76 vjeçari i njeh mirë problemet e shtresës që përfaqëson dhe përpiqet të mbrojë me sa ka mundësi.
‘Të moshuarit janë me sëmundje, ju duhen lekë për ilaçe, për ushqim, për drita, ujë, telefon…Mishin e kanë harruar se çfarë është. Po rrofshin emigrantet, shyqyr që janë fëmijët se do hanim njëri- tjetrin’, pohon ai ndërsa komenton me ironi edhe indeksimin e fundit të pensioneve. 
‘I çorodisin pensionistët me indeksime ndërkohë që ne i rropëm fëmijët po i lëmë fukarenj’
Faiku numëron 42 vite punë por shteti e shpërblen çdo muaj me 17,000 lekë pension. Ndërkohë që sipas tij, pensioni minimal duhet të nis nga 22 mijë lekë në muaj. 

‘Këto janë parlamentarë xhepash, jo shërbëtorë të popullit.’ thotë Faiku, teksa na tregon shpenzimet minimale që i duhen një pensionisti çdo muaj (të detajuara në një bllok shënimesh).

‘Çuditem si s’ju bie mendja për ne?! I sheh këta pensionistët italianë që vijnë vërdallë nëpër Tiranë si turistë? Mua s’më del pensioni për të pirë një kafe çdo ditë në qendër të Tiranës, jo më të shëtis botën’, thotë ai ndërsa na rastisi të kalojmë përmes një grupi turistësh të huaj në kryeqytet.  
Jeta e pensionistëve në Shqipëri ndryshon shumë nga ajo e pensionistëve që përmend Faiku. Pensionistët në Shqipëri e vuajnë rritjen e çmimeve më shumë se sa pjesa e tjetër e popullatës, pasi ato pak të ardhura që marrin i shpenzojnë në blerjen e ushqimeve, që zënë thuajse 60% të shpenzime mujore. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar mujor në qytet rezulton 17,350 lekë, ndërkohë që pensioni mestar mujor në fshat është 10,349 lekë. Dhe përtej propogandës për rritje pensionesh, e vërteta është se nga 1 tetori, pensioni mesatar në qytet u shtua vetëm 1,500 lekë nga indeksimi ndërsa pensioni mesatar në fshat vetëm 890 lekë.

‘Më i lartë tensioni se sa pensioni’

Një nga kategoritë më të keqpaguara pas daljes në pension janë minatorët. Ndryshe nga të tjerët që ankohen nën zë, ata prej katër javësh, po protestojnë në hyrje të parlamentit në përpjekje për t’i rikujtuar ligjvënësve të majtë të mbajnë premtimin e dhënë prej një dekade, miratimin e statusit të minatorit.
Mëngjesin e ccdo të enjte dhjetra minatorë dhe ish minatotrë i drejtohen Kuvendit me thirrje dhe pankarta nëpër duar me shpresë se një ditë zëri i tyre do të dëgjohet. 
“ Kam punuar 16 vite minatorë në Qafën e Barit, në Munellë. Sot marr 222 mijë lekë( të vjetra).”, thotë i zhgënjyer ish minatori Mark Gjergji.
“ Ndihem i nëpërkëmbur nga qeveria. Këta gjejnë para të rrisin pagat e tyre dhe kanë vite që mbajnë peng statusin tonë. Pensioni mesatar i një minatori sot është 250 mijë lekë të vjetra, por ne kërkojmë që të mos ketë pension nën 405 mijë lekë për minatorët.”, shton më tej ai.
Protestat e tyre nuk i kanë shqetësuar parlamentarët të cilët zbresin nga makinat luksoze dhe i drejtohen seancës së radhëstë shkujdesur. Indiferenca e tyre nuk i step minatorët, përkundrazi…  ata thonë se nuk do të dorëzohen deri sa miratimi i statusit të minatorit të futet në rendin e ditës, ndonjë të enjte. 

“Do të rrimë këtu deri sa të miratojnë statusin. Unë kam punuar 15 vite në minierë, marrë 17 mijë lekë pension. E se ccdo të thotë të punosh nëntokë? Këta se dinë, as nuk duan ta dinë. Kanë vite që na premtojnë, të dyja palët.”, thotë Ymer Kadiolli, ish minator.

Sirtarëve të Kuvendit të Shqipërisë ‘fle’ prej tre vitesh një peticion me 10 mijë e 680 firma minatorësh që kërkojnë Statusin. 
Përmes miratimit të Statusit të Minatorit, ata kërkojnë:
  • Sigurimin e jetës për minatorët
  • Rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët
  • Rritjen e pensioneve për minatorët
  • Garantimin e kujdesit shëndetësor për minatorët dhe ish minatorët
Premtimi për “Statusin e Minatorit” është dhënë për herë të parë nga kryeministri Edi Rama në fushatën elektorale të 2009, kur ishte opozitë. Me ardhjen në pushtet, Ramës ju deshën 5 vite që të përsëriste të njëjtin premtim të cilin ende se ka mbajtur.